Underground/ May 15, 2012 / @ Zeta

UNDERGROUND

Sara Capaliku

May 15, 2012 @19.00

Zeta Gallery

Underground is the personal photographic exhibition of Sara Capaliku in various ‘underground’ European locales.

Ky cikël fotografishë lindi gjatë një udhëtimi “turistik” të autores, diku nëpër Europë, atje ku të krijohet mundësia të shohësh peisazhe e arkitektura nga më të ndryshmet. Nga kjo përvojë intensive, Sara Çapaliku ka lënë mënjanë gjithëçka prej imazhit që i ofrohet sheshit e krenarisht publikut dhe ka zbritur poshtë për të eksploruar e fiksuar imazhin underground.

Më kujtohet se kam pas lexuar në një artikull të revistës  “Freeze[1]  rreth dy vjet më parë se si një personalitet i kulturës angleze kishte thënë se kalimi nga teksti te footnotes ndërsa lexon është si zbritja poshtë për të çelur derën që troket ndërsa je sipër duke bërë dashuri.  Pikërisht si për të mohuar këtë qëndrim duket se është ndërtuar  ekspozita në fjalë. E them këtë në kuptimin se kjo vajzë hedh pikërisht vështrimin e saj tek footnotes. Arsyet e kësaj zgjedhjeje mund të jenë të ndryshme. Duke pasur parasysh moshën e saj të re mund të jetë edhe një reagim kundrejt një realiteti të sipërm, tejet të pasur të ngarkuar e të mbipopulluar, duke gjetur një frymë intimiteti poshtë. Ajo ndoshta e bën këtë duke besuar në rëndësinë e këtij elementi si shumë të vërtetë e aspak sipërfaqësor. E nëpërmjet këtij vështrimi të saj në këtë drejtim (footnotes) ne mund të kuptojmë më thellë edhe realitetin e sipërm (tekstin) në rastin tonë atë që ndodhet sipër shkallëve që të çojnë në tualetet. Kjo përqasje e kjo vëmendje them se është qëllimi i kësaj serie fotografike.

Një vështrim në underground-in si vend urgjence por më shumë si vend ndaljeje, shfrimi,  rrëfimi gjatë një udhëtimi. Sidoqoftë është një ndër vendet e pakta në ditët e sodit që edhe kur je në udhëtim, je vetëm e, mund të gëzosh një intimitet të plotë. Është një vend ku mund të marrësh veten, ti hedhësh një sy, të rregullohesh e të zbukurohesh, të mendohesh i qetë (deri diku). Shpesh ato janë quajtur dhoma prehjeje (restroom). Po pikërisht ky është edhe momenti i ardhjes së ideve dhe zbulesave. Është momenti i gjetjes së figuracioneve ambigue nga një shikim i paparagjykimtë. Gjithashtu duket se është një vend interesant pse ndodh jo rrallë që njerëz të cilët gëzojnë intimitetin e këtyre tualeteve lenë mesazhet e tyre të llojeve të ndryshme. Aty gjejmë kode komunikuese, lajmërime, shenja e transkriptime të shfrimeve, të ndjenjave e pasioneve, që zakonisht rrinë të ndrydhura nga arsyeja, shfrime që mbesin anonime, por që rrëfejnë një dëshirë të madhe për t’u hapur si në dhomëza rrëfimi shpesh edhe pa marrë përgjigjen e asaj që ke shkruar…

 

Zef Paci

_______________

Për këdo që udhëton për diku larg, vendi ku gjen sadopak ngrohtësi janë kafet, restorantet e brenda tyre zona e shërbimit, që në të shumtën e rasteve instalohet nën tokë.

Askush nuk kujtohet  për rëndësinë e kësaj zone.

Këtë do të ketë konstatuar edhe Sara Çapaliku gjatë udhëtimi të saj në baret apo restorantet e Atij vendi tjeter.

Artistet e rinj shpesh dalin në tema intriguese e në gjetje artistike të papritura, ashtu sic po ndodh me këtë ekspozitë, ku  vemendja  përqendrohet  në një motiv të thjeshtë e në imazhe të zakonshme,  të cilat jo kujtdo i tërheqin vemendjen.

Bari i zhurmshëm me ecejaket e veta, mbushur me tinguj e melodi, dhe kor pa fund fjalesh, bie në kontrast me një tjeter ambjent, diku underground, ku cilido prej nesh në intimitetin e vet, shoqërohet çuditshëm nga një kategori tjeter personazhesh që gjenden ndër fotografi,  postera dhe deri nga objekte sherbimi e mure të shkruara, që mbesin si e vetmja lidhje me bisedat e thashethemet në tavolinat e sallës së parë.

Gjithsesi duke hapur një derë e zbritur disa këmbë shkallë, mbas nderprerjes së menjëherëshme të zhurmave, për një cast në mendje të vinë qindra ngjarje, me skena takimesh të dyshimta, plot histori undergroundesh (mbresa konfuze filmash) që për një moment të bëjnë të besosh se je edhe ti pjesë e tyre.

Në rastin tonë underground-i  është vendi  ku janë përcaktuar shumë qartë dy drejtime: Burra – Gra. Ato i bashkon një estetikë marrdhëniesh krejt  njerëzore, që nuk lënë mbas aspak emocionin dhe pasigurinë që ndjen kur je vetëm.

EDI HILA

This slideshow requires JavaScript.

Leave a comment